O jetë,
o nektari aromatizues,
i mbledhur në luginën e Madhe të gjenezës njerëzore,
aty ku thumba bletësh e grerëzash,
kanë marrë pjalmin e ëmbëlsisë e të idhtësisë tënde,
më ler të të shkund sot rrënjësh,
t’është holluar trungu,
e degët të janë dobësuar…
…
jetë ku të gjeta,
a më gjete,
më more për dore buzë zallishtesh,
e më ule në prehër malesh,
dushqe e shelgje herë m’i bëre gardhe e herë m’i preve.
u fermentove në fjalore meskinësh e rezilësh,
me gërma të skeduara prej gojëdhanadh e leshnakësh,
me bark të dhjamosur parazitësh,
mbetjesh të ngrëna cepave të rrugës.
…
O jetë më fal në ka momente që të jam thërrmuar,
e të jam dënuar,
prej grykësh i kam kapur egërsirat zhabuese,
që ndosin qoshen tande,
e përzhiten llumrash me të zhyt e me të myt,
me ta marrë atë zemër prej floriri të artë,
e me të çjerrë sy e ti të lëngosh në shtrat,
ata të natës me lëkurë lakuriqësh,
që përhapin sëmundje ëndrrash të frikshme.
…
O jetë dil prej bistaku të njomë e bëhu lis i drejtë,
le të vërsulen njëqind sopata mbi trupin tënd,
nuk do ta shuajnë dot farën tande të pastër,
bio në gjithësinë universale të gjallesave,
dil prej duarve, që mezi presin të të kthejnë në skulpturë,
pa zë, pa frymë, pa avull të ngrohtë,
dil o jetë në fushë mejdani e rrëmbe fjalët,
këndoji luleve që të dhanë aromën,
e zogjve që nuk njohin asnjë vegël muzikore,
për të performuar meloditë më të bukura në planet,
qeshi motit e stinës në të bardhë e në të zezë,
ani prej rrebeshesh do të lagen qerpikët,
e do të t’qullen këmbët baltash e lëgatash ,
ti duro ,
dil si të dalësh,
e merru me zjarrin që po djeg një katund,
dikush hodhi një cigare në kashtë,
e po u firoset mendja gjuhëve të zgjatura sa në një lagje,
në një djerrinë pa frymë e pa emër,
mallkue qofshin ata që duen me të ngatërrue drejtimin,
andaj i kan hap portat si gojë shtrigash,
që e kanë llucën e shpirtit si kamare kanalesh të ndyta ,
që s’ka kandar ti peshojë,
e det ti pastrojë,
vragët e lënuna të ardhuna prej mesjete.
…
Eh,medet o jetë,
ç’më ke gjet aman mua,
të merrem me gjithfarëlloj dukurish e amullish,
të zbritura prej resh të tërbuara,
ç’kobë prej njeriut të vërtitet,
a mot i keq po të gatitet,
me dimna je mësuar,
e je regjun ftohtit tu kërcit dhambët,
e ke pirë ujë përrenjsh me shtamba,
ke derdhun lot lumenjsh me gjyma ,
hallesh e shtrëngatash,
tu të pikuar çatia ke fjetur,
e si klloçkë ke rrit’ zogjtë e tu ma mir se ata me mure të astarta,
tu jan shpuar gishtat,
ke pastruar ferra e driza e mbolle trëndafila,
mbajte shkëmbinj me bark ,e nuk tu kërrus as nuri,
as krenaria,
as mendja s’tu prish me i pështy mu në fytyrë,
krejt ato që edhe kur doje me pushu ,
të zgjonin prej andrrës ma t’bukur,
e të pickonin,
e t’helmonin gjakun bash e në damar.
…
O jetë ç’ti kam zbulue krejt,
e krejt prej meje ke me qenë,
ma mirë zhveshun,
se me rrobë të huej.
Nuk ta kam merakun e mendjes,
e as të zemrës,
të kam ushqy e m’ke mbajt në kambë,
se e di që m’je ba kockë e fortë,
ma e pathyshme se betoni ,
e as nuk ndryshkesh,
as nuk prishesh,
as thyhesh e as pritesh,
se lindesh përditë,
prej femnores shtohesh e mbarsohesh,
e prej femrës shkatërrohesh,
prej mashkullit vritesh, e t’merret mendja e t’verbohen sytë,
a ma mirë vetëm, a vet e dytë…?!
Nuk ta kam ngenë o jetë,
se lindesh e ripërtrihesh edhe në shkretëtira,
në xhungla e në oqeane,
në kasolle e në pallate mbretrore,
e prap zinxhirësh zëvendësohesh,
e sa je e vogël frikësohesh,
e zgjat dorën të mbahesh,
po sa t’kalosh rrezikun e parë,
fillon e mësohesh,
se ke lind për me i ndërtu e me i përjetu,
edhe kohën e nxehtë në nervat e kokës tande,
edhe kohën e ftohtë me krejt gjallesat në luginën e Madhe.
…
linde për me shtu e me numru shekuj ,
e me ndrru kalendare,
fole për me u shkujt poezi e romane,
hëngre për me u rrit e me u jashtqit,
ece për me njoft botën,
a rrotullohet a rri në nji vend,
dëgjove aq sa as Toka si kalbzon,
e as përjetësia si strehon,
u ndeze si qiriri e u vetdogje për nji copëz dritë.
…
O jetë,
o qeranane e lindur me t’qame,
si me dit ç’ke me hek,
o tu lumshin ofshamat që t’japin durim,
me rilind çdo sekond e me pagu pa çmim.
O u rilindsh e paqtë,
e qeshur dhe e mbarë,
o tu thafshin rrënjët e u shofsh si farë.
…
Eh moj e pamendmja jetë,
na ke mbledh krejt kërcunjt e na i ke vu n’shpin,
sa herë t’ashtë tekë,
i ke zgjidhë gjith’gjuhët
i ke ngatërru moshash pa hije e pa lezet,
ke marrë alltinë e ke gjujt zemrash ,
ke bo kërdinë,
nanat e babat janë bo qyqe ,
e kodrat janë përmbys,
e rrëzu haj medet,
këndojnë gjelat sabahut ,
t’gjith gdhihen n’internet,
e thahet trualli pa djersë e livadhet me vesë,
trendafilat s’janë ujit e mollët s’janë krasitë,
kanë harrue t’zotnë e venit macet e qentë,
e janë ngrit hallakatshëm e kobshëm salltanetet,
merri pleqt e lagjes e futi krejt me nji thes,
ani se janë gjyshër,ku nji nip e ku nji mbesë,
kërkojmë lluks e shpuzë e sa t’vegjël nga ment.
…
Eh o jetë,haj medet.
je ujkonjë,
je dhelpër,
je lepur,
je luaneshë,
je oktapod,
je mizë,
je breshkë,
je nëpërkë,
je shtojzovalle,
je njeri,je milet,
je shpi,je katund,
je qytet,
je zakon ,je krahinë,je shtet,
je veri,je jug, je kontinent,
n’kët luginë të Madhe,
je ba qemane,
n’gojë burrash e grash,
je përdredh e je shtrydh mllefesh pa sebet,
ke gatu çorba e në grykë sa herë t’kan mbet,
jetë o jetë…
prap unë të kam për lezet,
se nuk më vijnë përqasje as korbat e as sorrat,
që përcjellin habere,
e bëjnë potere,
kazanash e mbeturinash ushqehen me llome të vdekura,e të hedhuna.
…
Eh medet moj jetë,
s’kem nga ikim se embrionin ti na e formësove,
e fillin na e ke gjet…
Je luftë e pashmangshme,
në të vetmin planet,
gjallesë për pak orë,pak ditë a pak vjetë…