Ngrehu qyteza ime,zgjohu e shkëlqe,
hijet tua pa dritë,zëri im nuk t’i le.
do të ulem këmbëkryq,sikur babi im,
të të zbuloj gjoksin,ku forca të rrin.
Të të shkund mendjen,mos ta zërë gjumi,
ndër brinjë fsheha gjurmët,mos m’i marrë lumi,
të të hap kanatat,sikur bëra dje,
nuk është një shëtitje,janë brenga që m’le.
Jam tani një degë,prej bredhave të tu,
të m’shkulësh rrënjët,duhet malin me rrëzu
aty dua të mbaroj,ku qielli yt fillon,
janë ernat e tua,si malli që vrapon.
Jam hise burimi,hise rruge,hise guri,
t’i rrita sa djem,ju dhashë çehre burri,
një pikë uji të m’pihet,bëhet bujë menjëherë,
shtron shtrat,e sofër,ke zemrën e gjerë.
Mund e djersë me krahë,krahë si të shpirtit,
kurmi yt fole ari,në çdo stinë të vitit.
si zogjtë nëpër drurë e yjet në qiell,
klith unë bija jote,kur lajme më përcjell.
Ta kam bo hysmetin,që e vockël,e amëshuar,
mëngjeseve dimërore,mbi dëborë kam shënuar,
udhëtime përvuajtshëm,pa mure,pa portë,
shkoj e vij lart e poshtë,se nuk të harroj dot.
Sa hapa numëruar,ku jam e ku kam frymë,
dhe më shumë e dua,gjersa flokun ta kem brymë,
askush s’më qas dot,do m’ruajë në një qoshe,
e dua vendlindjen,krahësh mos jem boshe.
Është dhimbje e bukurisë,që më shfaqet madhërisht,
sikur loti i dashurisë,që ndër brinjë fle butësisht,
në sa libra e lule,ti më e ngrohta baltë,
je përtyp ndër dhëmbë,si biskotë me mjaltë.
Sikur kohërat m’ritregojnë,sa emra e data,
ndërrohen stinë e kalendare,koka mbetet mbrapa,
për ty Bulqizë e dashur,çezmat i kthej lumë,
të të shoh begatuar,lutja që bëj Unë.