Një gëllëjkë i mora magjisë së qiellit,
dhe humba orët,datat,fytyrat,
zgjohem vetiu me rrezet e para të mëngjesit,
për t’u ulur
ashtu humbshëm,
në kafen e lagjes,
përqaf ashklat e flladit të ngrohtë vjeshtor,
pa një fund a fillim,
ndjek melodinë e fisme të zogjve baritor,
angështuar nuk rrekem më mbi kujtime,
as të ndez zjarre,
as të ndjej dhimbje,
fjalët i kam shplarë ujvarash mrekullie,
marramendëse është veç fuqia e Universit,
dhe heshtja e të vdekurve në pellgje përjetësie.
…
vetë jam përsëritëse,
nën ca avuj të butë,
me pupla mjegulle
e frymësh që përkunden hapësirash delirante,
e sa varre u hapën t’më infektojnë,
por tani
edhe sozia ime është lindur diku,
më sharmante,
si të më kuptojnë?
…
ndërsa jam thelluar në faqet e fundit të librit hapsinor,
asnjë dehje nuk më shkundi,
tundues s’më rrinë as qerpikët,
ku u zbraz shiu gjysëm shekullor,
s’kam më frikë kur inatçor është mali
e kur rrëmbyes është lumi,
veç nëndheut do t’i dorëzohem,
të jem barabartë,
në paqe t’më marrë gjumi.