• Mon. Jun 30th, 2025

Ehh,tha mëngjesi,
pakësohet pasditja çdo herë,
dita ishte e gjatë,
ishte e imja,
përkundej në duart e mia,
tani jam unë që i dorëzohem asaj,
dhe jam paksa ndryshuar,
ditë-nata krejt zvogëluar,
koha dridhet para syve të mi.

bota është fatlume,
koha e saj ka kohë të shikojë tutje larg,
ka kohë për përmirësim,
ndërsa unë ndihem si e zënë në çark,
nga mëngjesi në perëndim,
dje s’ishte e njëjta pasdite,
ndërsa orët
nuk zvarriten e nuk mbeten nëpër qoshe,
me diellin anuar zbres nëpër vite,
s’kam teprica,
as dhe një fjalë boshe.

të thjeshtë e kisha në fillim,
tani e vetmja më shumë koha më kushton,
se nuk mundem ta blej me asnjë çmim.

eca e fola duke u rrokullisur nëpër erë,
nëpër male e shkëmbinj,
lumenjsh e detesh notova,
sa kohë mbi libra fjeta
e pranë luleve u zgjova,
e s’u fiksova,
as për ferrin,as për parajsën,
më janë dukur gjithmonë si burrë e grua,
dhe anasjelltas,
mundime të humbura,
sot të urrej,nesër të dua.

ia vlen të përqafosh vetëm kohën,
të jetosh vetvetja,
pa kursim,
pa imitim,
rendim si vrapues të rremë,
me këmbë në tokë,
fati të ngre e të valëvit fluturim,
pikëllueshëm,
drita e shpirtit,
në hapat krah kohës gjen ngushëllim,
u binda për esencën,
erdhëm e po ikim pa fituar rikthim.