Në mendësi kafkash,
fije të brymta fjalësh bien si gjethe të thara,
të shkelura,
në brinjë shtypemi si shërbyes dinjitozë,
gjallesash dyfishe,
me pak qytetari të shkarë,
ujrave të ëmbla ndotur e larë,
aty ku ulen perënditë,
shtatoret e të parëve
na shtynë të tërheqim këmbët zvarrë,
nga pak e përditë,
mbështillemi rreth shpirtit
e gëzohemi me pak thërrime si zogj të lirë në fluturim,
ndërsa e qeshura çoroditëse
zhytur në zgavrën e një lumturie plot delire,
as dëshirë,as mallkim.
…
unë,
ne,
ju ,
në makthin e një shekulli skizofrenie,
me reflekse mençurie,
sëmundjesh iluzioniste,
në pasqyrë na duket vetja ndryshe,
si të zbritur prej një planeti tjetër,
koha është e re,
lulëzon hallakatur një lugine të vjetër,
luhatet e përflakur në horizontet me mbetje hipokrite,
në asgjë përplasemi e marrim lavde,
për thyerje vargonjsh të hekurt,
kultesh ironike,
të gjithë gjakprishur prej lekut.
…
mendësi demonësh mes tokës e qiellit,
me mure të gërryera,
çati të krisura,
rrugëve ku balta duket lluks i mbretit.
e tashmja ecën e grindet me të shkuarën,
e ardhmja epokë e shitur
dalldisur grykësive,
me psherëtima jargësh tollovitur.
…
unë,
ti,
ju,
si plaçka të hedhura mbi vdekjen,
në fabula surealiste,
mbështesim dashuritë dhe rrekjen.