E nxehtë dhe e shkrifët,
e nxehtë është dita ,
i shkrifët është ajri,
në qiellin blu,
kryqëzohen vija të bardha avionësh,
sa pak vijnë,
sa shumë ikin njerëzit,
gugashë e gjinkalla,
përplasen me rrezet përvëluese të diellit,
zërash të mekur zvarriten ,
në pritje veç sy angështues,
lutjesh prej malli përpëliten.
…
në metropolin e madh janë ngritur kulla,
kulla me drita verbuese që heshtin,
ngushtica pallatesh si ura të errëta,
trotuaret përpijnë oksigjenin,
zagushia kaplon sheshin,
sheshin e betonizuar,
ne si vrapues të dehur,
këmbësh e rrugësh ngatërruar,
tek-tuk stërkala kondisionerësh,
imitime tunduese,
ndërsa kafeja e pasdites avullon,
në gotën e ujit copa akulli sfiduese.
…
me gjoks të anuar prej vapës,
perëndimi mbështet muzgun,
në freskun e natës,
buzëmbrëmja shtratin i ka shtruar hënës,
ditë-netësh dhe urat’e nënës,
është çelësi’jetës,që na e solli Zoti,
ishte dje,
është tani…e do jetë prej soti:
…
gjumë të ëmbël,të ëmblit fëmijë,
dhe xixëllonjat verojnë shkëndijë.
DITË-NATA E JETËS
