Pusho pakëz o mall,
ti fluturon nëpër shpirtra larg nga mot,
larg mbi dete,
nën qerpikët e reve,
marrosur, mbushur,
syrgjynosur,
nuk të shmangim dot.
…
pusho i bardhë në malet e përhimta,
ku zëri është i ftohtë,i ngjirur,
është aromë piklash e dritash të imëta,
është erë që fshihet nën xhepat e kodrave,
e shalon,e gjegj dremitur.
…
pusho njëherë o mall,
në mos mundsh vetë si kaltërsi,
sa pendime,zhurmë,
e sa dhimbje,
baltën e këmbës dhe llumin e zi,
do t’i ruaj,
do më duhen si kujtime.
…
zbrit mall në shtigjet e të vdekurve,
i vetmi puls që nuk qeshet,
kërce mbi lumë,mbi oqean,
si kafshatë që s’përtypet,
në heshtje shpirti qan.
…
ti malli im,
ti derdhesh ngahera gjithkund,
e psherëtin kur ka muzg,
në krahë avionësh,
nëpër lule,
nën gurë,nën gjuhë,
e sërish flet padukshëm gjer në pafundësi,
në ëndër më loz, të përkund,
dhe ajri,dhe fjala,dhe zemra vishet gri,
dhe vargu në lirikë lot pa melodi.
(e botuar)