Na duhet një fjalë ndryshe,që shpërthen nga shpirti,
ku njëmijë drita luftojnë,në njëmijë errësira,
le t’jetë kjo arsyeja,pse qëndresat i drobiti,
le t’jetë zë i pazëshëm,që vjen nga hapësira.
Na duhen ca gërma,të mbushim gropën e stomakut,
ku janë derdhur shumë tjera,bër’lëmsh e gromësira,
le t’kenë shtrat shtatin,ku flejnë helmet e meraku,
le t’vijnë e t’ulen aty,si gërma erëmira.
Na duhet një optikë,për t’parë gjithnjë nga pak,
pa humbur fillin,e miliarda mendimeve,
na duhet dielli,mos jetë endacak,
pas rrebeshit kur shkatërron inati i stinëve.
Na duhet gjoksi hënës,që qumështon qiellin,
e pas muzgut si n’koshere,mbledh mjaltin e jetës,
na duhet një mall,që flen e zgjohet me mëngjesin,
e dritaret t’jenë të qindtat,hapur paqtë prej erës.
Na duhet një zemër,
një forcë,
ku përqafjet të mos jenë zhgënjim,
na duhet një mjedis dhe lufta mes vetit,
na duhet më e pastër një gjuhë,
një alfabet,
një kuptim a perceptim,
për t’u përballur me vetëdijen dhe fjalorin e tjetrit.