• Mon. Jun 30th, 2025

E VËRTETA E UNIVERSIT

ByBarie Cupi

Jan 25, 2025

Avujt e kohës shtypin e sundojnë,
fjalët pa jetë,struken burgosur,
diku udhët lodhen,ulen e pushojnë,
dikush të djeshmes,i thotë e marrosur.

Përgjoksi universit yjet i rrëzohen,
natës mëkatare,nën shandanin e hënës,
diku flakë mbeten,kujtimet që s’harrohen,
dikush mba’ngrohtë,përkëdheljet e ëndrrës.

Ngujuar lutjesh,dejeve t’errësirës,
rrinë valuar lotët,e mallit të një nëne,
diku drit’e shpirtit,shpirt i jep hapësirës,
dikush bluan frikën,e një të pathëne.

Gëlltit qielli në pashije,zëra të fryrë,
në një grusht dhé shkërmoqet jeta,
diku e zbrazur,qesh një fytyrë,
dikujt krejt shembur,i dridhet zemra.

Mbi gurin e varrit,forca shiut dhe erës,
e fundit,e vërteta,të jetosh e të duash,
ç’e kërkon arsyen,n’fund të humnerës,
ulu foli vetes,pastaj s’ke ç’të thuash.