• Fri. Jun 27th, 2025

Erë malesh,
shtegon gjithë mundim,
rrëzë bjeshkëve pushon,
merr frymë e djersin.

erë luginash rrokulliset bashkë me ajrin,
me gojëdhënat,
me legjendat,
ia përthan buzët gurëve të zallit,
erë që fërshëllen shekujsh,e lexohet hallesh,
e bartet e vyeshmja,
si e marrun zanit.

zhurmash bluhen fjalë,
oshëtima,
zgjohen kujtime e përmbysen kohëra,
erë e butë që përkëdhel dushqet,
shkëmbinj e kodrina,
kreh e lëmon qerpikë zanash,
erë e grinjtë që flladit rrugët,
lëviz prej vetit shpirtrat,
erë e largët si vegim,
erë e acartë që zgjon harabelë,
e sytë përlotur t’i ngrin,
erë dheu prej gjakut tim.

erë e mendjeve të brymta,
erë që grykësh lëmshohet ngurtësim,
tjerrë si në furkë histori të shkruara,
pranverës në lulëzim,
e ambël,
e idhët,
lutjesh të bekuara,
erë e vendit tim.

erë që trishtimin ma ktheu në frymëzim,
zhgulet imtësirash e s’ngelet ngatërruar,
opus që më zgjat jetën,
erë malli që më rrin në çdo zgjim,
firoset e mbytet stinësh ndërruar,
erë moj erë e mullinjtë,
që më përthan dhimbjet,
e pastron gjithë zemërimin tim.
…erë që s’ka lagje,
as strehim,
erë rrënjësh në kthim,
erë malli mbledhur në thërrime,
erë e vendlindjes sime.