Pata thënë më parë ca fjalë,që s’iu paskan dashur askujt,
s’i kam harruar asnjëherë,
ndërsa ata që i dëgjuan më harruan mua,
ndoshta atëherë prandaj paskemi vdekur,
e u rilindëm që fjalët mos i harrojmë,
në kallo kurrë s’kam prekur,
kurrë kënd,s’kam shtyrë nga mbrapa,
kam mësuar t’i them fjalët e mbara,
kush më ktheu shpinën,
mirë s’më paska dëgjuar,
u gabua,
unë sërish fjalët që kam thënë…i dua.
S’e di
ua kam thënë me zemër në dorë,
dhe hijen duke ua përkëdhelur,
në ditverë e në ditë acari me borë,
duke duruar,
e duke buzëqeshur.
Jo rastësisht
edhe në pasvdekjen time,
ato më vijnë si flutura të bardha,
rreth kokës,
qenë fjalë me aromë dashurie,
qenë përjetime zemre,
shtëpie,
fisnie,
respekti e miqësie,
sot rrugë e harruar malli,
mungesë që s’na çon askund,
kthej kohën pas,
shpesh orëve të muzgut mbi çajin e nxehtë,
asnjërën fjalë s’kam dëshirë ta ngas,
i kam të shenjta fjalët e mia,
çdo gërmë e kam melhem,
njëherë fjalët desha t’i shndërroj edhe në thërrime buke,
për të vegjëlit që sa kanë filluar të ushqehen,
për nxënësit,për rininë,
e për ata,që ç’të thonë nuk dinë,
fjalët gjithmonë janë aty si kujtime,
ankohen po i gërrice,
shpesh nuk duan shpjegime.
Ndoshta fjalët qenkan të mishta,
qenkan prej gjaku,
akomodim i përhershëm në një tru pa mistere,
pa dallavere,
oaz dhimbjeje,meraku.
Sërish veç fjalë them,
arkivoj e postoj çdo ditë pafund,
në krahë zogjsh ua dërgoj,
me frymë shpirti,
me kohë e me mund,
të diellta,
të ngjyrta,
eh,fjalët e mia,
nuk zbritkan në koka të brymta,
kapilarët ndodh të duken si të këputur,
por unë rrëmoj kujtesën,
ku fjalët i kam strukur,
ndërsa gjallë të jem,e sa ditë akoma,
nuk bindem në harresat,
që harrojnë fjalët tona.