• Sun. Jun 29th, 2025

Poemë…

Ka diçka,që nuk e dua shiun,
m’i shkrin të gjitha fjalët e ngrira rrugëve nga kam shkelur,
m’i qullos ato gunga kujtimesh çarjesh të akullta ngecur,
mes dhimbjesh dhe mundit,
në fund’dimrat e fundit.

E vërteta e tokës është tjetër gjë,
fillim pranvere,
nga skuta nxjerrin krye manushaqet e para në lejla,
lëvizin përrenjtë përtej kodrës,
trungje të vegjël rrëmbehen përteposhtë badihava,
herë qetë,herë zullumqar,
shiu si formulë bazike e jetës mbi tokë,
ndërsa mua më duket ndryshe në terren,
qielli në lot.

Seç më mungojnë degët e mollës që “dje” krasita vetë,
më mungojnë dhe lajthitë që mbolla në vjeshtën e tretë,
e dardhat me krahët e holla,që i trembeshin të ftohtit të prillit,
tek përplasej përbindshëm pafajësia,
si shpërthimet e Drinit.

Pemët e mia gjith’fruta,
nuk treten dot kollaj në stomakun e sëmurë të tjetrit,
ato s’janë asnjëherë matanë syve të mi të mendimit,
sikurse boçet e pishës,që u numëroja rrathët,si tespijeve të mbretit.
Gjunjas i mblodha krejt,
sëbashku me njëmijë përralla fëminore e rinore,
deri në mbrapshtinë e kufinjve,
ku kullotnin lopët e futnin kokën,
për të këputur ndonjë copë barishtje qumështore,
në nocionin e mureve,
që ngriheshin e të thyheshin bërrylat,
kur sa zgjasje krahët të prekte lëndimi,
nën tymnajat shurdhuese të fqinjve,
që si kukuthë ndalonin për ndonjë grimcë fjale,
e merrnin me vete aromë jasemini.

M’u përplas dorë e egër e kohës ndoshta si pafatësi e imja mbërthyer pas errësirës,
a hijet e diellit rrëzë muzgjesh tek u rrëfehesha shkëmbinjve,
e më ngatërronin këmbët ziliqarët,cytjesh të cmirës,
m’u përplas vrull’i erës tek merrte ç’gjente pambërthyer tek shpirti im,
eh…asgjë s’mbeti pa u lagur sot,
nga ky shi në këtë fund’nate,agim.

Zbret zymtësirash,
i zbutur,
duke kapërcyer lugina me re e me mjegull,
e vjen si shtrëngatë thumbuese,
trazirave të brengës,
që sjell stina si parregull.

Po troket pranvera,
në njërën anë mushkrie,
kam vetëm fije kujtimesh e deje mungesash sa një mal me rrëpira,
në tjetrën anë kam oksigjenin e avujve të babait,si rrëfyset më fjalëmira.
Në dy pudra me sa plagë,lëshoj peshën e viteve rëndë-rëndë,
eci ftohur e lagur,bashkë me fund’dimrin,
që përlot si një nënë,
mbi gjith’të çarat e gjurmëve ku nxjerrin kokën kujtimet e hedhura,
e me librat që do u tregojnë stërnipërve dhe jetët
dhe trojet e vjedhura.

Eh,shiu… shiu është melankolik,
në ditë me diell,pluhuri mbulon gjithçka,
e përmes kontureve të paqarta,
pikpyetjet varin kokën,s’di pse nuk më thonë ik,
ndërsa dita-ditës vazhdojnë e pakësohen,
e djeshmja dhe e sotmja takohen,
në të sekondin moment,
e vetmja lojë e pabesë sikur moti,lindka jeta,
nëpër shtigje,
nëpër vdekje,
nëpër dimrat e pafat,
fati qenkësh e vërteta.