Kallkan,
katran,
katrahurë,
orët e ditës nuk u ngjajnë patave të bardha,
të qeshurat e mia janë duartrokitje ironike,
netët si kortezh i heshtur,ëndrrash të gjata,
në ç’mote udhëtuan,të zbrazura e bazike.
Kuvend,
kontroll,
kusarë,
në mëngjes pak gjëra rezervuar në ditar,
të vegjëlit u sajuan si të zgjuar
e na kthyen në memecë,
si farë hibride u blemë e u shitëm në pazar,
në ç’vdekje rilindëm,në ç’jetë kemi ngecë.
Kalvar,
kalem,
këmbanë,
si një shfaqje e guximtë,qarkullon mirësia,
kapilarëve të tokës,
zbresin vizitorë të ftohtë,
i shoqeron lotësh,ku fshihet pafajsia,
dhe dielli pulit sytë,ç’nuk pa në k’të botë.
Kalldrëm,
kalimtarë,
kujtime,
destinacione kozmike,
që aty ku je,mbase arrin më shpejt,
provo këpucën time,
është e tërhequr,
e braktisur,
e egër,
e dëshpëruar,
zbrazur ngjyre,
plasaritur,
në librin e qiellit pata lexuar njëherë,
kuriozitet i brishtë,
këpucët e mia si të ishin mistike,
djajtë e ferrit ulin hundët,
eh,s’kam kohë të vuaj kronikat komike, kaloni nga kalova unë…po mundët.