• Mon. Jun 30th, 2025

Ti ishe i patjetërsueshëm për mua,
kalim i saktë i një ditë të vështirë,
që unë të ndieja rëndesat më mirë,
dhe pastaj të bija lehtë si asnjëherë tjetër,
qasje e re,në rrugë të vjetër.

të bija në harmoni me ditaret e mia,
me shpirtin e krisur e të lodhur,
përrenjsh piva ujë e mbeta pangopur,
sa në një rrëkajë,në një shkëmbore,
pashë sy grabitqarësh,
pështyma laraskash e gojë grifshash,
bota qeshej e përqeshej si “gore”
unë çdoherë e sertë me kohën time,
me logjikën time,
dukur si ashkël e hedhun,e ngrirë,
me mendimin tim më të mpirë.

ndërsa ti prapësirash,
më zhbirove çdo mendim në kokë,
as retë,as mjegullnajat,
horizontin dot s’ma zunë,
as xhamiat e as kishat lutjet s’mi përzunë,
sa fytyra m’u kthyen në mirazhe,
sa ëndrra m’u bënë iluzione,
qënia ime oqean,
pasioni sa një pikë loti,
prap njerëzit duke çmendur njëri-tjetrin,
se di në do çmendet Zoti.