Barie Ҫupi – Poetja e talentuar, përfaqësuese e arrirë e poezisë së sotme shqipe
Në sallën “Unesco”, në Muzeun Historik Kombëtar, u zhvillua të shtunën një aktivitet i veçantë. Prezantoheshin 4 librat e poetes Barie Ҫupi.
Salla plot. Të ardhur nga të katër anët e vendit, nga Maqedonia, Kosova e deri nga SHBA, me pjesëmarrje të shumë personaliteteve. Moderatori më i mirë i trojeve shqiptare, miku im, Defrim Methasani, e menaxhoi aktivitetin në mënyrë brilante. Që në hyrje ai tha se Bulqiza është vendi i kampionëve. E me të vërtetë, kampion në pasuri (ndoshta kampion edhe në varfëri), kampion në sport, kampion në shumë fusha, e s’mund të ndodhte të mos kishte një kampione edhe në poezi. Ajo është Barie Ҫupi.
Kisha përgatitur një fjalë të shkurtër për këtë aktivitet, në emër edhe të shoqatës “Bulqiza”, por koha s’mjaftonte, ndaj fjalën time po e ndaj sot këtu.
Kam kënaqësinë t’ju përshëndes ju të nderuar pjesëmarrës dhe poeten e talentuar bulqizake, Barie Çupi, në këtë ditë të shënuar të saj, ku na prezantohen katër libra me poezi të botuara ne 4 vite. Librat e kësaj poeteje të talentuar kanë magjepsur me vargjet e renditura të gjithë pasionantët e poezisë, duke u futur kështu plot dinjitet e me sukses në literaturën poetike shqiptare. Poezitë e saj janë sot mjaft të vlerësuara nga lexuesit dhe kritika letrare, ato përshkohen nga ndjenja e lartë, e njerëzores. Në të përshkruhet jo vetëm rrugëtimi i vështirë i saj dhe i shoqërisë tonë, por në radhë të parë i femrës shqiptare, i vajzave, i nënave. Ndoshta kjo i ka dhënë asaj brumin e duhur për të gatuar poezi të nivelit shumë të lartë dhe ne mburremi sot, e nuk e teproj aspak ta them, që poezitë e saj janë të nivelit kombëtar e me siguri që herët a vonë ato do të futen edhe në tekstet shkollore, duke shërbyer si shembull për larmishmërinë e elementëve letrarë.
Është e vështirë të gjesh poet shembull që ka ndjekur, pasi ajo është një poete origjinale, ajo është vetvetja. Poezitë i kushtohen jetës, dritëhijeve të saj. U kushtohen të pamundurve, natyrës, shoqërisë. Mbi të gjitha poezitë e saj i kushtohen femrës, në mënyrë që ajo të dalë nga guacka e të shtypurës, të jetë vetvetja, të ndihet e barabartë dhe e vlerësuar në shoqëri. Pikërisht për këtë, poezia e Barie Ҫupit arrin stadin më të lartë, prezantuar bukur e me një titull domethënës në librin e saj të fundit, “Ej, ti grua…”.
Vepra e saj është e mbushur me figura letrare, me një gjuhë të pasur si rrallëkush, me ngjyra origjinale. Pena e saj na ka sjellë nëpërmjet këtyre botimeve mrekulli të artit të fjalës sepse autorja jo vetëm e thur bukur fjalën, por i jep asaj forcën e nevojshme që të depërtojë në zemrën e njerëzve. Rruga që ndjek poezia e saj ka formën e një lumi të gjatë, herë-herë me meandrime të shumta dhe i qetë e argëtues, kufizuar me kopshte lulesh, e herë-herë i rrëmbyer e me zhurmë të madhe, që ka forcë zhvendosëse, madje shkul e tund edhe ato që duken të patundura e të pandjeshme.
Poezia e saj dallohet për përmbajtjen e thellë shpirtërore dhe filozofike të vargut. Kjo përmbajtje është e nxitur nga fenomenet e kohës që jetojmë, fenomene që shpesh shkojnë në marrëzi. Por në këtë përmbajtje ajo jep edhe rrugën e duhur të kalimit të vështirësive. Autorja është një poete rebele, por ka stilin e saj unik për ta shprehur këtë dhe ndoshta ky është një art më vete i fjalës së saj. Ajo ka prekur në poezitë e saj një gamë fenomenesh, figurash, por edhe depërtime të një natyre komike, ku ilarizon por dhe fshikullon heshtjen e shoqërisë ndaj vështirësive me të cilat përballen sot në veçanti gratë dhe vajzat. E kush më mirë se kjo poete e ka mbrojtur nëpërmjet poezisë dinjitetin femëror, përpjekjen e tyre për të qenë të barabarta në shoqëri? Në shumë poezi autorja ka përshkruar rrugëtimin e jetës së saj, vështirësitë e vendlindjes, ballafaqimin e vështirë të femrës me një mjedis egoist maskilist, e një mentalitet disi arkaik.
Në vargjet e saj goditen rëndë fenomenet negative si smira, hajdutëria, gënjeshtra, dyfytyrësia, babëzia, pabesia etj. Vështirësitë e jetës së gruas në përgjithësi, vijnë në vargun e poezive të saj në formën e ankthit, pagjumësisë, poshtërimit e dhunës psikologjike. Nga ana tjetër, nëpërmjet lotit dhe sakrificës, ajo kapërcen në një tjetër dimension, duke parë nga e ardhmja, gjë që e bën më të fortë, me shtigje të hapura dhe për ta përqafuar jetën. Jam i bindur se në poezitë e saj e gjejnë veten të gjithë, sidomos vajzat, gratë e nënat, për të cilat poezia e kësaj krijueseje të talentuar është himn që ulëret, që shpon shkëmbinjtë, që kërkon drejtësi. Vargu i saj është klithmë për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave e për të sjellë në vëmendje dashurinë, respektin dhe forcën progresiste që kjo gjini ofron.
Në poezitë dhe poemat e saj ne gjejmë metafora e gjetje letrare mjaft të spikatura si “kopshtarë të shpirtit”, “loti i hënës” etj, që gërshetuar me përmbajtjen e vargjeve e fusin lexuesin në mendime të thella, në reflektime kohërash e vullnetesh.
E urojmë poeten Barie Çupi për botimet e saj mjaft cilësore në lëmën e letërsisë. E theksoj, kemi të bëjmë me një poete të nivelit të lartë, me produkt poetik të nivelit kombëtar dhe kjo na jep sadisfaksion të gjithë neve, veçmas ne që jemi nga vendlindja e saj, në Bulqizë.
I urojmë shëndet e suksese të tjera në të ardhmen!
Faleminderit!
Tiranë, 5 nëntor 2022