• Sun. Jun 29th, 2025

T’I PËRGJIGJEM POR S’NUK…

ByBarie Cupi

Jan 6, 2025 #barie cupi

Alo…alo…jam unë,
unë pertej 12 fletësh të zhubrosura,
mbuluar me pluhur,
zhgarravitur datash e numrash,
si copë akulli nëpër dhëmbë ca fjalë të ciklosura,
një zë si nga hemisferë e 12,
e brumuar me gojëdhëna,
me mbetje stinësh,
herë diellrash,herë shirash,
herë llumrash.

alo…alo…sërish mbi rrethin e kujtesës,
ku e kam dëgjuar,
m’u shkundën teshat në trup,
m’u kërleshën flokët prej rrënjësh,
t’i përgjigjem por s’nuk…
një përshëndetje e gabuar,
grimcë heshtje në sytë si poça gati në ndezje,
si je,
si të kam,
si jeni…
kjo lojë e skaduar,
shfletoj copat e mbetura të kalendarit të vjetër,
hequr nga muri,
një vit më parë,
si sot në këtë moment,
emra,fytyra e shumë kartolina mykur nga harresa,
s’nuk…
s’mi mban truri,
kalendari porsalindur s’i njeh kësi njerëzi,
dhe unë,
që sapo u mora me gjërat e çastit,
kokëulur ikin orët,që s’u dhashë rëndësi,
llogaritjet e një alo-je,
u bënë shkas të trazoj të padukshmet,
gjurmë të humbura,
adresë memece,
as bardhë,as zi,
në mur gjithsesi,
mbetet shenjë,
kalendarët blihen e ndërrohen,
s’është profeci,

ndërsa gjithmonë,
njerëzit do shkojnë e do vijnë gjenezash,
si gjysëm gotash do derdhen
ende pa mbaruar,
gjurmë fjalësh në ajrin me grimca nervash,
herë struken dimrash,
herë qeshin përmalluar.

alo…alo…alo…
jam koleksionist i përvjetshëm i Vitit të Ri,
s’di të skaduar,
jam thirrja monotone,
para një motmoti,s’të kujtohet…
të thërrita të të them Gëzuar…!