• Sun. Jun 29th, 2025

Ora tymosej në heshtje,
u zbrazën trotuaret sikur vjeshta,
veç ftonj,rrush e gështenja,
shoh degët e ullirit plot,
pa tenja,
pa vjelësa.

Fletët e ditarit tim,
si fole gjethesh shtypur e ndukur,
imazhe njerëzish larguar,
si copëza dielli këputur,
përtej ca ngjyra vezulluese perëndimit,
re ujrash,
përcjellin frymë,rrugës së shpëtimit.

E zbrazët dita,
në çehre fytyrash të mpihta,
shqepur xhepash gjurmësh të panginjta.

eh sa shtegtarë të ikur,
përgjumen pendëve të librit tim,
të lashtët do luteshin,
Zotit do i binin në pendim.

Ngazëlluese më duken turmat,
si në lokomotiva primitive,
veç servilët,
hipokritët,
egoistët,
qethen e lyhen,sallonesh klasike,

pis rrugët,trotuaret,
me gjith’farëlloj tejmbushur,
u lodha,
nuk po gjej dot një stol për t’u ulur,
asnjë pemë shekullore
me hije dekadash,
zhgërryer,
gojëshqyer veç reklama fasadash,
ndërtesa pa mozaikë,
në fjalë unë i kam shkundur,
e po i degdis përditë.

Një plak i së ardhmes,
rrëshqiti larvash mbi një farëz,
ndërsa farëhedhësi,
si grerëz shpërndarës.
…dheu ka hyrë thellë nën dhé,
veç kulla si mbi re,
beton i rëndë,
durimtare nervat njerëzore,
blozë vitesh nën këmbë.

toka ime e blertë,
nën strehën qiellore,
vetin cepash me jakë të ndotur,
aty tej shoh ca duar të shtrira,
me torbë krahëqafë e bark të pangopur.
…një lajm nga zë i detit
sapo u ula në një kafene,
ikën sot dhjetë,
dy tre ikën dje,
drithërojnë rrugët,
njerëzit mbledhur sa një grusht,

Pfff…e mekur fjala ime,
me zë e pa zë…s’më dëgjon askush.