• Fri. Jun 27th, 2025

Me sy i përcolla sa vite që më rrejtën,
ndër sy më janë ngrirë sa shumë pika malli,
sa ngjarje u tërhollën e rrugët m’i brejtën,
sa s’ka më shumë enigma,as deti,as mali.

Me krahë e mund qasa,mjegullën e dendur,
me sa dengje hallesh prap u kavatova,
herë shkulmë frike,herë si mur i shembur,
gjithëherë veç me Zotin,brengat sistemova.

Me këmbë shkela,ku kish më shumë pengesa,
me avujt e lotëve,fika gjithësa zjarre,
sa shkëndija kujtimesh,i kam ngrohtë nën tesha,
e sa në hiç rrëzuar,buzë një gërmadhe.

Me truke lakuriqe,me pa’zë e pa u ndalë,
m’i lidhi nyjet koha,me një fillim pa emër,
sa më zhytën,sa më rritën,si në një përrallë,
sa më sitën fjalësh,por s’ma dehën zemrën.

Me baltë m’janë bërë duart,veç për lulet e mia,
që i dhurova sa munda,e s’di në m’kanë harruar,
tek ethesh më këputen,mendime të këqija,
ai përmallim mëngjeset,ende m’i mban zgjuar.